Shkencëtarët kanë zbuluar informacione të reja që mund të ndryshojnë plotësisht mënyrën se si kemi menduar se është formuar Hëna. Deri tani besohej se Hëna u krijua kur një objekt i madh, me madhësinë e Marsit dhe i quajtur Theia, u përplas me Tokën rreth 4.5 miliardë vjet më parë.
Nga kjo përplasje, copat që u shkëputën formuan Hënën.
Por një studim i ri nga revista Science dhe Instituti Max Planck sugjeron se Toka dhe Theia mund të jenë formuar shumë pranë njëra-tjetrës madje mund të kenë qenë “fqinjë” në fillimet e sistemit diellor. Kjo do të thotë se përplasja e tyre nuk ishte një rastësi e madhe, por diçka që mund të kishte gjasa të ndodhte.
Sipas shkencëtarit Timo Hopp, hulumtimi i ri tregon se materiali nga i cili është krijuar Toka është shumë i ngjashëm me atë të Theias. Kjo i ka çuar studiuesit të mendojnë se të dyja janë formuar në të njëjtën zonë.
Një provë e rëndësishme vjen nga sasia e hekurit që ndodhet në Tokë. Kur planeti ynë po formohej, shumica e hekurit shkoi në qendrën e Tokës. Megjithatë, në shtresat e sipërme të planetit ka ende shumë hekur dhe shkencëtarët besojnë se kjo pjesë e tepërt mund të ketë ardhur pikërisht nga Theia, pas përplasjes.
Thosten Klein, një nga studiuesit, shpjegon se përbërja e materialeve të Tokës dhe Hënës na tregon shumë për origjinën e tyre dhe për mënyrën se si janë formuar.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë plotësisht dakord. Disa thonë se është e vështirë të jesh i sigurt për atë që ka ndodhur miliarda vjet më parë. Dr. Paul Byrne, një shkencëtar planetar, thotë: “E kaluara është shumë e largët dhe ne mund të mos e zbulojmë kurrë plotësisht.”
Edhe pse studimi sjell ide të reja, ai hap shumë pyetje dhe i shton diskutimet për origjinën e Hënës – një nga misteret më të mëdha të sistemit tonë diellor.
