Sidnei është tronditur nga një sulm i rëndë me armë zjarri në plazhin Bondi, ku gjatë një aktiviteti festiv hebraik janë vrarë 16 persona. Ngjarja ndodhi gjatë aktivitetit “Hanukkah by the Sea”, ku mes viktimave ka fëmijë, figura fetare dhe qytetarë të pafajshëm.
Autoritetet australiane kanë bërë të ditur se të dyshuarit janë një baba dhe djali i tij, Shahid Akram (50 vjeç) dhe Navid Akram (24 vjeç), me origjinë nga Lahore i Pakistanit. Sipas policisë, ata hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve në festë, duke shkaktuar një bilanc tragjik viktimash.
Dyshime për planifikim të gjatë dhe lidhje ekstremiste
Hetimet paraprake tregojnë se sulmi mund të ketë qenë i planifikuar për disa javë. Dyshohet se autorët kishin marrë me qira një apartament përmes Airbnb, rreth 30 minuta larg Bondi Beach, ku qëndruan për rreth dy javë. Gjatë kontrollit të banesës, policia gjeti pajisje shpërthyese të improvizuara.
Autoritetet po shqyrtojnë edhe lidhje të mundshme me grupe ekstremiste. Mediat lokale raportojnë se në automjetin e përdorur nga autorët janë gjetur materiale që lidhen me Shtetin Islamik (ISIS). Po ashtu, 24-vjeçari raportohet se kishte ndjekur studime fetare në një qendër islamike dhe se dyshja kishte udhëtuar më herët në Filipine, zonë e monitoruar nga shërbimet e sigurisë për aktivitet ekstremist.
Për të shmangur dyshimet, autorët u kishin thënë familjarëve se po udhëtonin për peshkim. Nëna e të riut ka deklaruar për mediat se kishte folur me të birin pak para sulmit, pa vënë re shenja shqetësuese.
Sipas policisë, 50-vjeçari kishte leje armëmbajtjeje prej vitesh, ishte anëtar i një klubi qitjeje dhe posedonte disa armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur në sulm.
Mes viktimave janë një vajzë 10-vjeçare, dy rabinë, një i mbijetuar i Holokaustit dhe një shtetas francez. Vajza 10-vjeçare, Mathilde, u përkujtua nga familjarët si një humbje e pazëvendësueshme. U vranë gjithashtu ish-oficeri i policisë Peter Megger, Tibor Witzen që humbi jetën duke mbrojtur bashkëshorten, rabinët Eli Schlanger dhe Yaakov Levitan, Alex Kleitman (87 vjeç), i mbijetuar i Holokaustit, Reuben Morrison nga sinagoga lokale dhe Dan Elkayam, 27 vjeç, shtetas francez.
Qeveria australiane ka shpallur masa të shtuara sigurie në mbarë vendin, ndërsa hetimet për motivet dhe rrjetin e mundshëm pas sulmit po vazhdojnë. Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe bashkëpunim me organet e rendit gjatë hetimeve.

