Triumfi i së djathtës ekstreme në Gjermaninë Lindore ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh politike në mbarë Evropën, duke ndarë kabinetet diplomatike mes shqetësimit për rritjen e populizmit dhe festimeve të eksponentëve të së djathtës radikale.

Aleatët kryesorë të Berlinit brenda Bashkimit Evropian e kanë pritur me shqetësim të madh këtë zhvillim zgjedhor. Ministri i Financave i Francës, Roland Lescure, deklaroi për radion RTL se rezultati përbën një “sinjal shumë, shumë shqetësues”, duke nënvizuar se kontinentit i duhet t’i rezistojë një sfide madhore përballë valës populiste që po përhapet në të gjithë botën. Të njëjtën linjë mbajti edhe Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, i cili e cilësoi rezultatin e votimit si një shenjë mjaft me rëndësi e alarmuese.

Në krahun tjetër, forcat e së djathtës ekstreme evropiane e kanë pritur me brohoritje suksesin e AfD-së. Herbert Kickl, kreu i Partisë së Lirisë në Austri, u shpreh se votuesit në Saksoni-Anhalt dhanë një goditje të drejtpërdrejtë duke votuar kundër frontit të bashkuar të partive të sistemit. Po ashtu, kryeministri hungarez Viktor Orban e përgëzoi publikisht AfD-në, duke e cilësuar arritjen e saj si “një natë të madhe për Gjermaninë dhe Evropën”, ndërsa përmes një postimi në platformën X shkroi se ky rezultat është vetëm fillimi.