Dy çanta luksoze Hermès Birkin, të konfiskuara nga biznesmenia vietnameze e burgosur Truong My Lan, u shitën për më shumë se 535 mijë dollarë në një ankand shtetëror, duke gjetur blerës brenda vetëm 30 minutave.

Çanta e bardhë Hermès Birkin, madhësia 25 dhe e zbukuruar me kristale në kapëse dhe bordurë, u shit për 440,144 dollarë, pothuajse shtatë herë më shumë se çmimi fillestar. Ndërsa çanta tjetër, madhësia 30, u shit për 94,858 dollarë. Çantat ekskluzive të Birkin mund të arrijnë vlera qindra mijëra dollarësh dhe konsiderohen shpesh si “vepra arti” dhe investime.

Truong My Lan po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për përvetësim fondesh nga një bankë e madhe vietnameze dhe është urdhëruar të kthejë 27 miliardë dollarë dëmshpërblim. Ajo ishte dënua fillimisht me vdekje në prill 2024, pasi gjykata zbuloi se kishte kontrolluar fshehurazi Saigon Commercial Bank dhe kishte marrë kredi dhe para për më shumë se 10 vite përmes kompanive fiktive, duke arritur një total prej 44 miliardë dollarësh. Dënimi më pas u zbut në burgim të përjetshëm.

Gjatë gjyqit, Truong My Lan pretendoi se njëra çantë ishte blerë në Itali dhe tjetra ishte dhuratë nga një biznesmen malajzian, duke thënë se i donte t’ua linte si “kujtime” fëmijëve dhe nipërve të saj.

Në janar, agjencia e ekzekutimit të vendimeve civile në Ho Chi Minh City kërkoi ekspertë për vlerësimin e dy çantave me lëkurë krokodili. Ato u shitën së bashku me 1,200 asete të tjera të konfiskuara nga biznesmenia në Qendrën e Ankandeve të Aseteve në Ho Chi Minh City.

Nicholas Parnell, themelues i Agency Parnell, vuri në dukje se çmimet e çantave Birkin janë rritur vazhdimisht për shkak të kufizimit të aksesit dhe edicioneve speciale. Shtëpia e ankandeve Sotheby’s shpesh i reklamon ato për dhjetëra mijëra dollarë secila, ndërsa në korrik 2025, një Birkin origjinale u shit për 8.6 milionë euro në Paris, duke vendosur një rekord atëherë.