Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë nuk ishte një incident i izoluar, por një akt i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut me kërkesë të Varshavës.

Shefi i aleancës ushtarake paralajmëroi Moskën se NATO është vigjilente dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të vet. Këshilli i Atlantikut të Veriut u mblodh këtë mëngjes dhe diskutoi mbi situatën, pas kërkesës së Polonisë për konsultime.

Aleatët shprehën solidaritet me Poloninë dhe denoncuan sjelljen e rrezikshme të Rusisë. Një vlerësim i plotë i incidentit po zhvillohet, por është e qartë se ajo që ndodhi nuk është një incident i izoluar.