Para se të uleshin në tryezën e bisedimeve, presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, zhvilluan një shëtitje rreth dhjetë minuta në kopshtet e kompleksit Zhongnanhai.
Sipas raportimeve, Trump, teksa kalonte pranë kolonave të gjelbra dhe harqeve dekorative të kompleksit, u shpreh se “këto janë trëndafilat më të bukur që kam parë ndonjëherë”.
Xi Jinping iu përgjigj më vonë duke i premtuar se do t’i dërgonte fara trëndafilash “si dhuratë”.
Presidenti amerikan e cilësoi vizitën e tij në Kinë si “të pabesueshme”, duke deklaruar se prej saj “dolën shumë gjëra të mira”.
Trump tha gjithashtu se të dyja palët arritën “marrëveshje fantastike tregtare për të dy vendet” dhe se u zgjidhën probleme “që të tjerët nuk do të mund t’i zgjidhnin”.
Ai e përshkroi marrëdhënien me Xi Jinping si “shumë të fortë”, ndërsa gjatë deklaratave në Zhongnanhai zbuloi se në fokus të diskutimeve ishte edhe çështja e Iranit. Sipas Trump, të dy liderët ranë dakord se Teherani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur.
“Duam që e gjithë kjo të marrë fund, sepse situata atje është e çmendur”, deklaroi presidenti amerikan.


