Zjarret masive që po përfshijnë Spanjën dhe Francën kanë detyruar evakuimin e mbi 65 mijë personave, ndërsa autoritetet spanjolle pranojnë se vatra më e madhe pranë Madridit është bërë e pamundur të kontrollohet. Shefi i menaxhimit të emergjencave në qeverinë rajonale të Madridit, Carlos Novillo, ka thënë se zjarri është “në kulmin e tij” dhe se shuarja e tij aktualisht është “përtej kapaciteteve” të ekipeve të zjarrfikësve. Sipas tij, flakët po përhapen drejt komunave Robledo de Chavela dhe Fresnedillas de la Oliva, që ndodhen disa dhjetëra kilometra në perëndim të Madridit. Banorët e këtyre zonave janë urdhëruar të largohen menjëherë.

“Nuk është e mundur të luftohet zjarri në atë zonë, ndaj po ndërmerren masa mbrojtëse”, deklaroi Novillo.

Sipas autoriteteve, rreth 25 mijë persona janë evakuuar në Spanjë, ndërsa mbi 20 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë të izoluar në shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut nga flakët dhe tymi. Ndërkohë, në jugperëndim të Francës, më shumë se 44 mijë persona janë evakuuar gjatë dy ditëve të fundit për shkak të një zjarri të madh në rajonin Gironde.