Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një tjetër paralajmërim të fortë ndaj Iran, duke i kërkuar të ndërmarrë hapa konkretë për ndalimin e programit bërthamor.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump publikoi një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet i armatosur dhe i rrethuar nga shpërthime, i shoqëruar me mesazhin: “Mjaft më me Z. Djalë të Mirë!”.

Krahas imazhit, ai kritikoi ashpër Teheranin, duke deklaruar se vendi “nuk po arrin të marrë masa” dhe se nuk di si të nënshkruajë një marrëveshje jo-bërthamore. “Më mirë të bëhen të zgjuar sa më shpejt”, theksoi Trump.

Deklaratat vijnë në një kohë kur, sipas raportimeve të The Wall Street Journal, administrata amerikane po shqyrton një strategji të re për të rritur presionin ndaj Iranit, përfshirë një bllokadë të zgjatur që synon dobësimin e financave të regjimit.

Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se kjo qasje synon të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë iraniane dhe të kufizojë kapacitetin e saj për të forcuar pozitat në negociata, ndërsa rezervat e naftës së pashitur vazhdojnë të rriten.

Zhvillimet e fundit tregojnë për një përshkallëzim të retorikës dhe presionit ndaj Teheranit, duke rritur pasiguritë mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve.