Një skandal kombëtar ka përfshirë Francën, ku prindërit e alarmuar kanë ngritur shqetësimin mbi sigurinë e fëmijëve të tyre në ambientet shkollore. Mediat shkruajnë se policia e Parisit po heton më shumë se 100 raste për dhunë dhe sulme seksuale ndaj fëmijëve nga rojet e sigurisë së shkollës. Prokurorja Laure Bequois, konfirmoi se hetimet janë duke u zhvilluar në 84 kopshte, rreth 20 shkolla fillore dhe 10 qendra kujdesi ditore. Sipas avokatëve të familjes, rastet përfshijnë akuza për përdhunim të fëmijëve nga mosha tre deri në katër vjeç.

Raportet nga prindërit në rajone të ndryshme të Francës përfshijnë incidente ku fëmijët janë abuzuar verbalisht, janë shtyrë, janë tërhequr nga flokët, janë privuar nga ushqimi ose janë detyruar të hanin derisa të vjellin. Ka gjithashtu akuza serioze për sulm seksual dhe përdhunim.

Avokati Louis Caillier, i cili përfaqëson dy familje në Paris, ka ngritur një padi për përdhunimet e dyshuara të dy fëmijëve të një kopshti, ngjarje e cila besohet se ka ndodhur në vitin 2025. Në një rast, një vajzë trevjeçare dyshohet se është përdhunuar nga një roje shkolle në një shkollë në Parisin perëndimor. Në një rast tjetër, një djalë trevjeçar dyshohet se është abuzuar nga i njëjti person, i cili ishte transferuar në një shkollë tjetër pas akuzave për dhunë fizike ndaj fëmijëve. Rastet janë të shumta, ndërsa prokuroria dhe autoritetet po hetojnë më shumë mbi rastet.