Një hetim financiar që ka përfshirë dhjetëra persona në Turqi ka sjellë pasoja edhe në radhët e partisë së Presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Fatma Betül Sayan Kaya, ish-ministre dhe një prej figurave drejtuese të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ka njoftuar largimin nga funksionet e saj politike dhe partiake.

Kaya bëri të ditur se i kishte kërkuar presidentit Erdoğan lirimin nga detyra, kërkesë që sipas saj është pranuar.

Lëvizja vjen në një moment kur Prokuroria e Stambollit po zhvillon një hetim financiar që prek edhe pasuritë e Kaya-s, bashkëshortit dhe pjesëtarëve të familjes së saj. Prokurorët kanë kërkuar vendosjen e masave paraprake mbi këto pasuri, ndërsa verifikimet vazhdojnë.

Në qendër të çështjes janë disa transaksione me vlera të mëdha. Sipas pretendimeve që po hetohen nga autoritetet, Kaya dhe bashkëshorti i saj dyshohet se kanë investuar rreth 163 milionë lira turke dhe, brenda një periudhe prej vetëm pesë muajsh, kanë tërhequr një shumë që kalonte 2 miliardë lira.

Ish-ministrja i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kërkuar që hetimet të zhvillohen deri në fund për të sqaruar çështjen. Duke shpjeguar vendimin për t’u larguar nga funksionet, Kaya deklaroi se përgjegjësia e një politikani nuk kufizohet vetëm në aspektin ligjor, por përfshin edhe përgjegjësinë politike dhe morale.

Rasti i saj është vetëm një pjesë e një hetimi shumë më të gjerë për fondet e investimeve dhe lëvizje të dyshimta financiare.

Sipas të dhënave të bëra publike, hetimi përfshin 76 persona, ndërsa 45 prej tyre janë arrestuar. Mes personave të ndaluar raportohet se është edhe Erkan Kilimci, ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Turqisë.

Autoritetet turke vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe mënyrën e realizimit të transaksioneve që janë vendosur nën lupën e prokurorisë.