Një skenë e rëndë është regjistruar gjatë një takimi me qytetarë në qytetin e Bor, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiç u përball me një denoncim publik për mungesën e ndihmës sociale ndaj një fëmije të sëmurë.
Gjatë aktivitetit, një grua kërkoi fjalën për të folur mbi vështirësitë që po has prej nëntë muajsh në marrjen e ndihmës sociale për djalin e saj, i cili vuan nga probleme me zemrën. Ajo deklaroi se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, nuk ka marrë asnjë mbështetje nga sistemi. Në vend që të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë mbi ndihmën financiare, presidenti Vuçiç foli për procedurat dhe kontrollet e qendrave të shërbimeve sociale, duke sugjeruar se mund të ekzistojnë pengesa ligjore që ndikojnë në procesin e pagesave.
Sipas dëshmisë së saj, gruaja kërkoi që çështjet familjare të mos diskutoheshin në prani të fëmijës. Megjithatë, presidenti e inkurajoi të tregonte situatën në detaje, me argumentin se problemi mund të zgjidhej menjëherë.
Nën presion emocional, ajo shpërtheu në lot dhe zbuloi para djalit se nuk ishte nëna e tij biologjike. Gruaja sqaroi se është tezja e fëmijës, se nëna e tij ka ndërruar jetë dhe se prej 13 vitesh kujdeset për të, ndërsa përpjekjet për ta adoptuar ligjërisht kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Nuk më lejojnë ta adoptoj. Jam tezja e tij, nëna e tij ka ndërruar jetë. Jam kujdesur për të për 13 vjet, i plotësoj të gjitha kërkesat, dhe ata vazhdojnë të më refuzojnë. Nuk doja që ai ta zbulonte në këtë mënyrë se nuk isha nëna e tij”, tha ajo mes lotësh, ndërsa djali qëndronte i ulur pranë saj.
Pas deklaratës, Vuçiç e përshkroi situatën si të ndërlikuar nga ana procedurale, duke premtuar se do të angazhohet personalisht për shqyrtimin e rastit dhe se do të japë një përgjigje brenda së mërkurës. Ai theksoi gjithashtu se, pavarësisht formaliteteve ligjore, ajo mbetet në çdo rast nëna e fëmijës, për shkak të përkushtimit dhe kujdesit të treguar ndër vite.



