Një tërmet politik ka goditur kabinetin britanik. Zëvendëskryeministrja Angela Rayner ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet qeveritare dhe partiake, më pak se një vit pas marrjes së detyrës.
Vendimi i saj vjen në mes të një skandali të bujshëm për shmangie taksash dhe deklarime të rreme në lidhje me një apartament bregdetar prej 800 mijë paundësh.
Raportimet nga mediat britanike konfirmojnë se këshilltari etik i qeverisë ka hapur hetim zyrtar ndaj Rayner për mosshlyerje të plotë të taksës së pronës së dytë. Pas dorëheqjes, ajo largohet jo vetëm nga posti i zëvendëskryeministres dhe sekretares për strehimin, por edhe nga funksioni si nënkryetare e Partisë Laburiste, një nga pozicionet më të rëndësishme brenda partisë.
Pas krizës, kryeministri Keir Starmer ka nisur një riorganizim radikal:
David Lammy është emëruar Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë.
Yvette Cooper merr drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Shabana Mahmood, deri më tani Ministre e Drejtësisë, kalon si Ministre e Punëve të Brendshme dhe përgjegjëse për politikën e imigracionit.
Ky zhvillim shihet si një nga tronditjet më të mëdha për qeverinë britanike në vitet e fundit.