Kulla Eiffel u mbyll të hënën pasi stafi hyri në grevë për shkak të largimit të disa punëtoreve femra për vizitën e një grupi fetar hindu.

Një delegacion prej rreth 100 personash të lidhur me grupin Bochasanwasi Akshar Purushottam Swaminarayan Sanstha (BAPS) vizitoi monumentin në kryeqytetin francez të shtunën, shkruan BBC.

Përfaqësuesja e sindikatës së punonjësve, Diane Davoine, thotë se ndërsa mbërritën te monumenti, grave iu tha të largoheshin.

“Gjatë vizitës së këtij delegacioni, grave iu kërkua të largoheshin nga vendet e tyre të punës në mënyrë që burrat të vendoseshin atje”, tha ajo për Reuters. Davoine tha gjithashtu se menaxhmenti u kishte kërkuar falje punëtorëve për incidentin.

“Kjo absolutisht nuk u pëlqen punonjësve, padyshim edhe grave, të cilat janë të gjitha të poshtëruara nga ajo që ndodhi, nga mënyra se si u trajtuan disa prej tyre”, tha Davoine.