Një 28-vjeçar norvegjez është dënuar me 3 vite e 7 muaj burg nga Gjykata e Oslos, pas akuzave për spiunazh në favor të Rusisë dhe Iranit. I riu, i cili punonte si roje sigurie në ambasadën amerikane në Oslo, u shpall fajtor për transmetimin e informacionit të ndjeshëm që mund të kishte rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e personelit diplomatik.

Sipas aktakuzës, periudha e veprimtarisë së tij zgjati nga mars deri në nëntor të vitit 2024, gjatë së cilës ai dorëzoi informacione të hollësishme mbi planet e sigurisë së ambasadës, të dhëna personale të diplomatëve, si dhe procedura të brendshme operative. Në këmbim të këtyre të dhënave, ai kishte marrë 10,000 euro nga pala ruse dhe 0.17 bitcoin nga përfaqësues iranianë.

Gjykata deklaroi se informacionet e transmetuara “mund të përdoreshin për sulme fizike ndaj personave të përfshirë dhe cenonin interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.” Gjatë procesit gjyqësor, i riu pranoi faktet, por mohoi të kishte kryer spiunazh të rëndë, duke argumentuar se kishte vepruar si formë proteste kundër politikave amerikane në Lindjen e Mesme, veçanërisht në lidhje me luftën në Gaza.

Pavarësisht pretendimit se informacionet nuk ishin të klasifikuara, gjykata vlerësoi se veprimet e tij përbënin një kërcënim real dhe të qëllimshëm ndaj sigurisë diplomatike. Avokatja e tij, Inger Zadig, deklaroi se po shqyrtohet mundësia e ankimit të vendimit, duke kritikuar gjykatën për “interpretim të gjerë të ligjit mbi spiunazhin”.

Hetimet zbuluan se i pandehuri kishte dorëzuar të dhëna konfidenciale në Norvegji, Serbi dhe Turqi, përfshirë emra, adresa, targa makinash, numra telefoni dhe detaje për familjarët e diplomatëve amerikanë, si dhe planet e ndërtesës së ambasadës dhe emaile të lidhura me shërbimet sekrete norvegjeze.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër prej 6 vitesh e 4 muaj, por gjykata vendosi një masë më të lehtë, duke e konsideruar bashkëpunimin dhe pranimin e fajësisë si rrethana lehtësuese.