Qeveria britanike shkarkoi të enjten Peter Mandelson nga posti i ambasadorit në Shtetet e Bashkuara, pas zbulimeve tronditëse që e lidhin atë ngushtësisht me abuzuesin seksual të dënuar, Jeffrey Epstein.
Vendimi erdhi pasi u publikua një “libër ditëlindjeje” i Epstein-it i vitit 2003, në të cilin Mandelson, një figurë e njohur e Partisë Laburiste, e përshkruante miliarderin si “shokun tim më të mirë” në një shënim të shkruar me dorë.
Pavarësisht skandalit, kryeministri Keir Starmer e mbrojti publikisht ambasadorin të mërkurën, duke thënë se ai “gëzonte besimin e plotë” të tij. Por vetëm disa orë më vonë, gjithçka ndryshoi.
Bloomberg publikoi një seri emailesh që vërtetojnë se Mandelson kishte vazhduar marrëdhënien me Epstein edhe pas vitit 2008, kur ky i fundit u dënua për prostitucion me të mitura dhe kaloi 13 muaj në burg.
Në një nga email-et, Mandelson i shkruante Epstein-it:
“Bota jonë ndihet e pashpresë dhe e tërbuar për atë që ka ndodhur.”
Ai gjithashtu e këshillonte të përdorte strategjitë e “Artit të Luftës” për të përballuar presionin publik.
Ministria e Jashtme britanike njoftoi se shkarkimi i Mandelson erdhi pas vlerësimit të thellësisë dhe natyrës së marrëdhënies së tij me Epstein, e cila doli të ishte “materialisht ndryshe nga ajo që dihej në momentin e emërimit”.
Në një letër drejtuar stafit të ambasadës në SHBA, Mandelson tha se ndjente keqardhje për lidhjen me Epsteinin, të cilën e cilësoi si gabim të rëndë nga e kaluara.
“Ishte një privilegj i jetës sime të shërbeja si ambasador. Rrethanat e këtij njoftimi më trondisin. Më vjen sinqerisht keq për viktimat e Epstein dhe për çdo dhimbje që mund të kem shkaktuar”, shkroi ai.
Ai pranoi se “nuk kishte zgjidhje tjetër” përveç dorëheqjes.
Shkarkimi i Mandelson ka shkaktuar valë reagimesh në Britani, duke e vënë kryeministrin Keir Starmer nën presion të shtuar, për shkak të vendimit për të emëruar një figurë kaq të përfolur në një rol të rëndësishëm diplomatik.
Opozita e ka akuzuar Starmerin për gjykim të dobët politik, duke e quajtur emërimin një “gabim të rëndë në vendimmarrje”.
Përkohësisht, James Roscoe ish-zëvendëskryetar i misionit në ambasadën britanike në Uashington — do të marrë detyrën si ambasador i përkohshëm në SHBA.