Komiteti i Etikës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së ka nisur një hetim paraprak ndaj deputetit demokrat Jimmy Gomez, pas disa pretendimeve për sjellje të pahijshme seksuale të raportuara në media.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, hetimi ka nisur pas verifikimit të një artikulli të publikuar nga New York Post, ku pretendohej se Gomez ishte parë duke shkëmbyer puthje me një asistente gjatë një feste private në vitin 2023. Këto pretendime janë mohuar më herët nga zyra e deputetit.
Raportohet se gjatë shqyrtimit të rastit, hetuesit kanë marrë informacione edhe për akuza të tjera të ngjashme, të cilat po analizohen në kuadër të të njëjtit proces.
Në një reagim publik, Gomez pranoi se në të kaluarën ka bërë gabime në jetën personale që kanë ndikuar te familja e tij, por theksoi se bëhet fjalë për veprime konsensuale që, sipas tij, nuk përbëjnë shkelje të ligjit apo të rregullave etike të Kongresit.
Deputeti demokrat deklaroi se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin dhe do të vërë në dispozicion çdo informacion të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse.
Hetimi mbetet në fazat fillestare dhe deri më tani Komiteti i Etikës nuk ka bërë komente zyrtare mbi çështjen. Gomez përfaqëson distriktin e 34-t të Kaliforni në Dhomën e Përfaqësuesve.
