Transmetuesi publik japonez NHK ka pranuar se ka dështuar në menaxhimin e një rasti të rëndë abuzimi seksual ndaj një punonjësi të tij, duke bërë publike se pesë drejtues të departamentit të personelit kanë marrë qortime verbale për mënyrën se si është trajtuar çështja.

Gjatë një konference për shtyp, drejtori i përmbajtjes së NHK-së, Hiroo Yamana, kërkoi falje publike dhe pranoi se mënyra se si organizata reagoi pas incidentit jo vetëm që nuk i dha mbështetjen e nevojshme viktimës, por kontribuoi në përkeqësimin e gjendjes së saj. Për arsye të mbrojtjes së identitetit, NHK nuk ka bërë publike datën e ngjarjes apo detaje që mund të çojnë në identifikimin e punonjësit.

Sipas hetimit të brendshëm, punonjësi u sulmua seksualisht nga një anëtar i kastit të një programi televiziv pas një aktiviteti shoqëror të organizuar me pjesëmarrjen e ekipit të produksionit. Pas ngjarjes, ai nuk ishte më në gjendje të kryente normalisht detyrat dhe u detyrua të merrte pushim mjekësor. Disa muaj më vonë, ai informoi eprorët për incidentin dhe kërkoi transferimin në një departament tjetër.

Megjithatë, drejtuesit vendosën ta rikthenin në të njëjtin departament ku kishte punuar më parë, duke u mbështetur në procedurat standarde të institucionit. Sipas raportit të hetimit, rekomandimet e mjekut kurues dhe të mjekut të punës, të cilët kishin sugjeruar transferimin e tij për të mbrojtur shëndetin mendor, nuk u morën në konsideratë.

Transferimi u realizua vetëm më shumë se tre vjet pas incidentit. Gjatë kësaj periudhe, punonjësi u diagnostikua me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD), i lidhur me traumën e përjetuar pas abuzimit seksual.

Rasti mbërriti në nivelet më të larta drejtuese të NHK-së vetëm pasi punonjësi, përmes sindikatës së tij, kërkoi zyrtarisht në prill të vitit të kaluar sqarime për refuzimin e kërkesës së tij për transferim. Vetëm atëherë u informuan departamenti i menaxhimit të riskut dhe presidenti i transmetuesit publik.

Në maj të vitit të kaluar, NHK ngriti një komision të posaçëm hetimor me ekspertë të jashtëm. Pas një viti pune, komisioni konstatoi mangësi serioze në funksionimin e organizatës, duke theksuar se procedurat ishin zbatuar në mënyrë rigide edhe në raste të jashtëzakonshme dhe se mungonin mekanizmat për ndarjen e informacionit dhe trajtimin efektiv të ankesave për abuzim seksual.

Programi televiziv ku ishte i përfshirë personi i dyshuar tashmë ka përfunduar. Sipas NHK-së, ai ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ishte nën ndikimin e alkoolit dhe nuk kujton se çfarë kishte ndodhur.

Drejtori i përmbajtjes, Hiroo Yamana, e cilësoi ngjarjen si “thellësisht për të ardhur keq”, duke theksuar se NHK e merr shumë seriozisht faktin që mënyra e trajtimit të rastit ka shkaktuar pasoja të mëtejshme për viktimën.