Gazetarja e njohur e BBC-së, Laura Kuenssberg, ka bërë publike disa përvoja tronditëse nga karriera e saj në raportimin politik, duke zbuluar episode ngacmimesh dhe sjelljesh të papërshtatshme nga politikanë të nivelit të lartë në Britaninë e Madhe.

Rrëfimet janë pjesë e librit të saj më të ri, ku ajo përshkruan situata të sikletshme me disa figura të politikës, përfshirë ministra dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve.

Një prej episodeve më të pazakonta ka ndodhur gjatë një konference politike, kur një ministër e kishte ftuar gazetaren në dhomën e tij të hotelit për të konsumuar një pije. Por, kur mbërriti, Kuenssberg gjeti aty edhe partneren e politikanit, ndërsa ky i fundit ishte i shtrirë në krevat me këmishën pjesërisht të zbërthyer.

Gazetarja tregon se e përfundoi pijen dhe u largua, pa e zgjatur qëndrimin. E pyetur nga “The Times” nëse ministri kishte tentuar ta përfshinte në një marrëdhënie treshe, ajo u shpreh se kjo ishte një mundësi, por pranoi se mund ta kishte interpretuar gabim situatën.

“Ndërsa mund të ketë qenë kështu, mund edhe të mos ketë qenë. Ndoshta e kam keqkuptuar plotësisht. Ishte shumë e sikletshme”, rrëfeu ajo.

Por ky nuk është i vetmi rast i përmendur në librin e saj. Kuenssberg tregon edhe për një tjetër ministër të martuar, me të cilin zhvillonte takime jozyrtare për të diskutuar zhvillimet politike. Gjatë një daljeje në teatër, sipas gazetares, ai e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme.

Ajo përshkruan gjithashtu sjelljen e një politikani që e përshëndeste vazhdimisht duke e puthur në kokë, si dhe një mesazh të marrë nga një anëtar i Dhomës së Lordëve, të cilin e cilësoi si “rrëqethës”. Mesazhi përmbante komente mbi veshjen e saj gjatë një transmetimi televiziv.

Pavarësisht seriozitetit të episodeve, gazetarja ka zgjedhur të mos zbulojë identitetin e personave të përfshirë dhe as partitë politike ku ata bëjnë pjesë.

Rrëfimet e saj kanë rikthyer vëmendjen te sjelljet e papërshtatshme ndaj grave në ambientet politike dhe profesionale, duke hedhur dritë mbi përvojat që, sipas Kuenssberg, kanë shoqëruar karrierën e saj në kontaktet me pushtetin britanik.