Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar nga qeveria projektet e planeve “Serbia 2030” dhe “Serbia 2035”, por sipas raportimeve, propozimet që mori ishin bërë me ndihmën e inteligjencës artificiale, gjë që e zemëroi atë.

Këtë informacion e kanë publikuar mediat e Beogradit. Sipas tyre, Vuçiç do të thërrasë sot kryeministrin serb, Gjura Macut dhe ministrat, duke u dhënë afat që deri më 21 shkurt, kur kthehet nga udhëtimi në Indi, t’i paraqesin një propozim të ri të programit.

Edhe pse lajmi u publikua mbrëmë nga tabloidet proqeveritare, as Vuçiç e as ndonjë anëtar i Qeverisë së Serbisë nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për këtë rast. Kujtojmë se Vuçiç më parë kishte njoftuar se planet e zhvillimit të Serbisë deri në vitin 2030 dhe 2035 do të publikoheshin deri më 1 mars dhe se çështja e rrjetit të furnizimit me ujë do të jetë një nga pikat kryesore të këtyre planeve.

Ai gjithashtu kishte thënë se “në planet dhe programet punojnë njerëz të specializuar dhe se pa plane adekuate nuk mund të bëhet asgjë”.

Prandaj duhet të dalim sa më shpejt me planin deri në 2030 dhe planin afatgjatë deri në 2035, që njerëzit të mund të kuptojnë se çfarë do të bëjmë,” kishte theksuar atëherë Vuçiç.