Autoritetet amerikane të imigracionit kanë kryer një operacion të gjerë në një fabrikë të Hyundai në shtetin e Georgia, duke arrestuar mbi 450 persona, shumica të dyshuar si imigrantë të paligjshëm.
Bastisja u zhvillua në një impiant të madh prodhimi, i ndërtuar për automjete elektrike dhe funksional prej një viti. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, urdhri i kërkimit u ekzekutua për dyshime mbi praktika të paligjshme punësimi dhe krime të tjera federale.
Në operacion morën pjesë disa agjenci amerikane, përfshirë Zbatimin e Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Byronë për Alkoolin, Duhanin, Armët dhe Eksplozivët (ATF). ATF njoftoi se bastisja u zhvillua në një zonë industriale prej 3,000 akrash në Qarkun Bryan, ku u arrestuan qindra të huaj.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut konfirmoi se mes të ndaluarve ishin edhe shtetas koreano-jugorë, duke e cilësuar aksionin si një “shkelje të padrejtë të të drejtave të tyre”. Sipas Seulit, aktivitetet ekonomike të kompanive koreane dhe të drejtat e qytetarëve nuk duhet të preken gjatë operacioneve ligjzbatuese në SHBA.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje për akuzat e plota ndaj fabrikës ose përfaqësuesve të saj.