Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Nebraska, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një mësuese gjimnazi akuzohet për përfshirje në trafikim seksual të një nxënëseje të saj për të kënaqur të dashurin.
Mediat e huaja shkruajnë se është fjala për Elizabeth Jamie Love, nënë e dy fëmijëve, e cila është arrestuar dhe akuzuar për trafikim seksual dhe ngacmim seksual, ndërsa i dashuri i saj, Jarid “Jack” Krause, 42 vjeç, për trafikim seksual të një të miture.
Sipas dokumenteve zyrtare të policisë së Holdrege, 36-vjeçarja e kishte marrë nxënësen me makinë dhe e kishte dërguar në shtëpinë e Krause më 11 tetor. Ai dyshohet se e ka çuar vajzën në një dhomë gjumi dhe i ka bërë një kërkesë që ajo e kuptoi si përpjekje për shfrytëzim seksual.
Fatmirësisht, vajza arriti që të largohej pa u prekur, ndërsa pamjet e sigurisë tregojnë mësuesen duke e dërguar më pas në shtëpi. Në makinë, Love thuhet se i ka kërkuar ndjesë dhe i ka dhënë 100 dollarë për t,a mbajtur takimin sekret.
Sipas mediave të huaja, hetimet nisën pas raportimit të vajzës për ‘ndërveprime të papërshtatshme’ me çiftin. Autoritetet konfirmuan se mësuesja në fjalë kishte punuar për njësinë arsimore “ESU-11”, që mbulon disa shkolla në Nebraska.
Sipas raportimeve të Nebraska TV, vajza kishte dëgjuar më herët një telefonatë ku Krause i kishte kërkuar 36-vjeçares të kishte marrëdhënie me të.
Të dy të rriturit pritet të dalin përpara gjykatës në ditët në vijim, ndërsa hetimet për trafikim seksual të një të miture vazhdojnë.
