Një nga figurat më të njohura fetare në SHBA, Robert Preston Morris, 64 vjeç, është shpallur fajtor për abuzim seksual ndaj një vajze 12-vjeçare. Ai është themelues i Kishës Gateway në Teksas, një nga kishat më të mëdha në vend, me mijëra besimtarë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fillim të viteve ’80, kur Morris ishte një pastor i ri dhe udhëtonte si evangjelist. Sipas hetimeve, ai qëndronte përkohësisht në shtëpinë e familjes së viktimës në Oklahoma dhe gjatë kësaj kohe abuzoi seksualisht me vajzën, e cila në atë kohë ishte vetëm 12 vjeçe. Abuzimi zgjati për rreth katër vite.
Pas shumë vitesh në heshtje, viktima, Cindy Clemishire, e cila tani është 55 vjeç, vendosi të flasë publikisht dhe të kërkojë drejtësi. Pas paraqitjes së provave dhe pranimit të fajësisë nga vetë Morris, gjykata në Oklahoma e dënoi atë me 10 vite dënim me kusht, nga të cilat 6 muaj do t’i vuajë në burg. Ai gjithashtu duhet të regjistrohet si abuzues seksual dhe do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet.
Pas vendimit të gjykatës, Cindy deklaroi se drejtësia më në fund u vu në vend dhe se shpreson që historia e saj të inkurajojë edhe viktima të tjera të flasin dhe të mos ndihen të turpëruara për atë që kanë kaluar. Ajo shtoi se është koha që ligjet të mbrojnë më shumë fëmijët dhe të ndëshkojnë ashpër çdo abuzues, pa marrë parasysh statusin apo pozitën që kanë.
Robert Morris ka qenë një figurë shumë e njohur edhe në politikën amerikane. Ai ka pasur lidhje të afërta me presidentin Donald Trump dhe ka shërbyer në bordin këshillimor ungjillor të tij. Kisha që ai themeloi në vitin 2000 është një nga më të mëdhatë në Teksas, me shumë ndikim në komunitetin fetar dhe politik konservator.
Pas daljes së akuzave vitin e kaluar, Morris dha dorëheqjen nga drejtimi i kishës. Vetë kisha nuk ka komentuar lidhur me vendimin e gjykatës.
Prokurori i Përgjithshëm i Oklahomës deklaroi se rasti është edhe më i rëndë sepse abuzuesi ishte një pastor, një figurë që njerëzit e shohin me besim dhe respekt. Ai shtoi se nuk do të ketë tolerancë për asnjë që shfrytëzon pozitën për të abuzuar me fëmijë.