Një pediatër në Gjermani është vënë në qendër të një hetimi tronditës, pasi autoritetet e akuzojnë për dhjetëra raste abuzimi seksual ndaj të miturve gjatë ushtrimit të detyrës së tij si mjek.

Prokuroria në Potsdam ka ngritur akuza ndaj 45-vjeçarit nga Brandenburg, i cili dyshohet për 130 raste abuzimi dhe përdhunimi të fëmijëve përgjatë një periudhe që shtrihet nga viti 2013 deri në fund të vitit 2025.

Sipas hetimeve, pjesa më e madhe e ngjarjeve të dyshuara kanë ndodhur gjatë vizitave mjekësore, ndërsa mjeku ndodhet në paraburgim prej muajit nëntor të vitit të kaluar, pas kallëzimit të bërë nga nëna e një të mituri.

Rasti mori përmasa edhe më të mëdha pasi në janar autoritetet zbuluan një tjetër episod të dyshuar abuzimi në një spital në Rathenow, pranë Berlinit. Pas kësaj, policia ndërhyri duke sekuestruar pajisje elektronike dhe materiale të tjera që po analizohen në kuadër të hetimeve.

Hetuesit gjermanë deklarojnë se ekzistonte rrezik i lartë që i dyshuari të përsëriste veprat penale, çka çoi në vendimin për mbajtjen e tij në paraburgim.

Ndërkohë, rrjeti spitalor Havelland Clinics ka nisur një verifikim të brendshëm dhe paralajmëroi ndryshime në protokollet e sigurisë. Institucioni pranoi se në një nga rastet nuk ishte respektuar rregulli i pranisë së dy personave gjatë ekzaminimit të fëmijëve.

“Ky rast cenon rëndë besimin e pacientëve dhe familjarëve te sistemi shëndetësor”, u shpreh drejtori mjekësor Mike Lehsnau.