Një skandal ka plasur në Maqedoninë e Veriut me Fondet e IPARD. Mësohet se drejtorin i Agjencisë Shtetërore për Pagesat e Ndihmës Kombëtare dhe Komunitare për Zhvillimin Rural, Ilia Stoilev është arrestuar nga autoritetet. Ndaj tij rëndojnë akuza e ryshfetit me qëllim miratimin e paligjshëm të financimit për një ndërmarrje bujqësore në vend.

Sipas mediave maqedonase, Stoilev dyshohet se ka rënë dakord me një ish-ministër të vendit për të marrë shumën prej 50,000 eurosh, me qëllim miratimin e një subvencioni nga Komuniteti për një ndërmarrje bujqësore në pronësi të këtij të fundit. Financimi vjen nga fondet e Bashkimit Evropian, i cili mbështese veprimet për zhvillimin rural në vendet kandidate.

Pas skandalit, Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se fondet nga IPARD janë ndërprerë me kërkesë të tij. Arsyeja, siç tha ai, është se duhet të hetohen të gjitha abuzimet që kanë ndodhur jo vetëm tani, por edhe më parë. Ai thotë se veprimi që po ndërmerret aktualisht është i mirëpritur si pozitiv nga Komisioni Evropian.

“Po. Unë atë e kërkova sepse duhet të shohim se deri ku shkojnë keqpërdorimet. Informacionet e para thonë se kjo nuk ndodh tani por prej shumë më herët. Andaj do të hetojmë gjithçka dhe secili që mendon se aq lehtë do të kalojë gënjehet”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë, Partia Social Demokrate (SDSM) e opozitës akuzoi qeverinë e Mickoskit për korrupsion, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të humbasë rreth 100 milionë euro nga fondet e BE-së për sektorin bujqësor. Në deklaratën e tyre, ata shtuan se mijëra fermerë në vend do të mbeten pa subvencione të BE-së.

“Të gjithë ata që kanë filluar investimin, tashmë kanë investuar para nga xhepi i tyre ose nga kredi, për gjysmën e investimit, kurse tani, 50% e investimit, për shkak të korrupsionit të pushtetit nuk do t’u paguhet dhe nuk dihet se kur ose nëse do t’u paguhet ndonjëherë”, u tha në deklaratë.

Sakaq, Ministria e Financave njoftoi dje se kishte marrë një vendim për të pezulluar përkohësisht pagesat e fondeve nga programi IPARD. Ata shtuan se Komisioni Evropian u njoftua për pezullimin e përkohshëm të pagesave po atë ditë.

Vendimi i Ministrisë së Financave vjen pas arrestimit javën e kaluar të drejtorit aktual të Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe katër personave të tjerë nën dyshimin për dhënie dhe marrje ryshfeti. Prokuroria njoftoi se hetimi është zhvilluar për disa muaj nën drejtimin e Prokurorisë për krim të organizuar dhe vazhdimi i procedurës do të shihet më tej.