Nadia Marcinko, ish-partnerja e financierit Jeffrey Epstein, mund të përfshihet në hetime të reja nga Kongresi amerikan lidhur me rrjetin e trafikimit seksual të të miturëve që tronditi SHBA-në prej vitesh.

Marcinko, e lindur në Sllovaki, ishte për shtatë vite partnerja e Epstein pas Ghislaine Maxwell dhe më vonë pilote e avionit të tij privat. Edhe pse ajo nuk është akuzuar apo dënuar ndonjëherë për vepra penale, emri i saj është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të dokumenteve dhe emaileve të reja që hedhin dritë mbi marrëdhënien e saj me Epstein.

Sipas një hetimi të BBC-së, Marcinko ishte një nga katër gratë e përfshira në marrëveshjen e vitit 2008 që u garantonte imunitet nga ndjekja penale si “bashkëpunëtore të mundshme” të Epstein. Dy prej tyre, Sarah Kellen dhe Lesley Groff, pritet të merren në pyetje nga ligjvënësit amerikanë, ndërsa disa kongresmenë kërkojnë që edhe Marcinko të hetohet.

Dokumentet dhe komunikimet e siguruara nga BBC tregojnë se Epstein dhe Marcinko kishin planifikuar të krijonin familje së bashku dhe se ai i kërkonte vazhdimisht të gjente gra të tjera për të kënaqur dëshirat e tij seksuale.

Në një email të vitit 2006, Marcinko i shkruante Epstein se do të përpiqej të gjente vajza për të në Nju Jork, megjithëse shprehte shqetësimin për marrëdhënien e tyre. Megjithatë, nuk ka prova që ajo i ka prezantuar Epstein vajza të mitura.

Nga ana tjetër, dokumentet zbulojnë edhe aspektin kontrollues dhe abuziv të Epstein ndaj saj. Marcinko u ka treguar hetuesve federalë se ai ushtronte kontroll të plotë mbi jetën e saj, duke e detyruar të kryente operacione plastike dhe duke përdorur dhunë fizike ndaj saj.

Në një email të vitit 2012, ajo i shkruante financierit: “Nuk dua të jem me ty, por më shqetëson të shoh se si manipulon dhe lëndon vajza të tjera”.

Pas arrestimit të dytë të Epstein në vitin 2019 për trafikim seksual, Marcinko nisi të bashkëpunonte me FBI-në. Agjencia amerikane më vonë mbështeti kërkesën e saj për të qëndruar në SHBA, duke e cilësuar atë si viktimë të një marrëdhënieje seksuale detyruese.

Sot, Marcinko është larguar nga jeta publike dhe sipas raportimeve jeton në Nju Jork, ku është përfshirë në aktivitete të një qendre budiste Zen.

Rasti ka hapur debat në SHBA mbi kufirin mes viktimës dhe bashkëpunëtores në rastet e trafikimit seksual. Ekspertët ligjorë theksojnë se shpesh viktimat mbeten nën kontrollin psikologjik të abuzuesve edhe pas largimit fizik prej tyre.

Ndërkohë, Kongresi amerikan pritet të vendosë nëse Nadia Marcinko do të thirret zyrtarisht për të dëshmuar mbi rolin e saj në rrjetin e Jeffrey Epstein.