Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara kanë hedhur dritë mbi transferta financiare të kryera nga Jeffrey Epstein pas lirimit të tij nga burgu në vitin 2009, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi marrëdhëniet e tij me ish-zyrtarin britanik Peter Mandelson.
Sipas dosjeve, Epstein ka dërguar mijëra paund drejt Reinaldo Avila da Silva, partneri i atëhershëm dhe bashkëshorti aktual i Mandelson. Dokumentet tregojnë se kontaktet mes Epstein dhe da Silva-s kanë nisur vetëm dy muaj pas daljes së Epstein nga burgu, ku ai kishte vuajtur një dënim prej 13 muajsh për vepra penale që lidhen me prostitucionin e një të miture.
Email-et e publikuara zbulojnë se da Silva i kishte kërkuar Epstein-it mbështetje financiare për ndjekjen e një kursi osteopatie dhe shpenzime të tjera personale, përfshirë pajisje studimore dhe një laptop. Epstein, sipas korrespondencës, ka pranuar menjëherë të dërgonte paratë, duke konfirmuar pagesa që përfshinin shuma deri në 10 mijë paund.
Në një komunikim tjetër, Mandelson i kërkonte Epstein-it që këto transferta të regjistroheshin si hua, për të shmangur detyrimet tatimore. Da Silva më pas konfirmonte marrjen e parave në llogarinë e tij bankare.
Të dhëna të tjera tregojnë se në vitin 2010, Epstein kishte autorizuar pagesa të tjera në favor të da Silva-s, përfshirë një shumë prej 13 mijë dollarësh dhe transferta mujore prej 2 mijë dollarësh, sipas raportimeve të Financial Times.
Një email i korrikut 2009 sugjeron gjithashtu se Epstein kishte takuar da Silva-n ndërkohë që ndodhej ende në burg, duke përfituar nga një program pune-lirimi që i lejonte dalje ditore nga institucioni penitenciar.
Peter Mandelson ka reaguar më herët për lidhjen e tij me Epstein, duke kërkuar ndjesë publike dhe duke pranuar se ka gabuar që ka vazhduar marrëdhëniet me të pas dënimit. Ai ka theksuar se nuk ka qenë kurrë i përfshirë apo bashkëpunëtor në veprimtarinë kriminale të Epstein-it dhe se, sipas tij, e vërteta e plotë u bë e ditur vetëm pas vdekjes së këtij të fundit.
