Fotot që dyshohet se tregojnë Francesco Giorgi dhe Antonio Panzeri, dy nga figurat kryesore të përfshirë në skandalin e korrupsionit në Katar, shfaqen me valixhe me para në një hotel luksoz në Bruksel. Fotot i publikoi sot Repubblica.
Fotot janë realizuar gjatë takimit që dy personat kanë pasur me ministrin e Punës të Katarit, Ali Ben Samih al Marri, në një hotel luksoz tetorin e kaluar.
Sipas publikimit, i cili citon elemente të shkresave të lëndës, Prokurori në Bruksel i kushton rëndësi të veçantë këtij takimi, i cili është një shembull se si “tregtohej” ryshfet .
“Është data 10 tetor. Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fillimin e Botërorit. Skena zhvillohet në një nga hotelet më luksoze në kryeqytetin belg. Steigenberger Wiltcher’s, dikur pjesë e zinxhirit Conrad, ishte gjithmonë zgjedhja e Silvio Berlusconit kur ai vizitoi qytetin si kryeministër për të marrë pjesë në samitet evropiane. Ndodhet në një nga zonat më elegante të Brukselit dhe mund të kuptohet lehtësisht pse përfaqësuesit e emiratit të pasur e zgjodhën atë”- shkruhet në artikull.
Hetimi nga policia federale belge çoi në fakt arrestimin e katër italianëve si dhe arrestimin e zv. Presidentes Eva Kaili për korrupsion të dyshuar dhe pastrim parash me një përpjekje për të mbrojtur Katarin nga akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punëtorëve dhe për rrjedhojë reputacionin e Kupës së Botës.
Hetuesit dyshojnë se një vend, ka tentuar të ndikojë në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian. Sipas “Le Soir” vendi në fjalë është Katari.