Bashkimi Europian ka ndërmarrë një hap të ri kundër abuzimeve me inteligjencën artificiale, duke vendosur ndalimin e sistemeve që krijojnë imazhe intime të rreme pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Vendimi vjen pas reagimeve të forta ndërkombëtare ndaj funksioneve të chatbot-it Grok, i lidhur me Elon Musk, që u kritikua për gjenerimin e fotove false nudo duke përdorur fotografi reale të personave, përfshirë edhe të mitur.
Eurodeputeti irlandez Michael McNamara deklaroi se Bashkimi Europian ka vendosur “një vijë të kuqe”, duke theksuar se inteligjenca artificiale nuk duhet të përdoret për të poshtëruar apo rrezikuar individët.
Ndërkohë, edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar më herët për fenomenin e deepfake-ve, pasi u publikuan imazhe të rreme intime të krijuara me AI, të cilat ajo i cilësoi si një kërcënim serioz.
Masat e reja do të përfshihen në kuadrin ligjor të Bashkimit Europian për inteligjencën artificiale, i miratuar fillimisht në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, institucionet europiane po rrisin kontrollin ndaj modeleve të avancuara të AI-së, pas shqetësimeve të ngritura edhe për sigurinë kibernetike dhe përdorimin e tyre nga hakerët.
