Dy persona janë arrestuar në Londër në kuadër të një hetimi për dyshime se kanë bashkëpunuar me një shërbim të huaj inteligjence, në një çështje të lidhur me Iranin.
Të arrestuarit janë një grua 42-vjeçare dhe një burrë 60-vjeçar, të cilët u ndaluan gjatë ditës së mërkurë. Autoritetet britanike dyshojnë se ata kanë ofruar asistencë për një shërbim inteligjence të huaj, ndërsa hetimet po zhvillohen në bazë të Aktit të Sigurisë Kombëtare.
Pas marrjes në pyetje, të dy janë lënë të lirë me kusht. Ata pritet të paraqiten sërish për procedurat e mëtejshme në fund të muajit tetor.
Policia britanike ka bërë të ditur se kjo çështje nuk ka lidhje me incidentet e regjistruara në Londër gjatë periudhës mars-maj, ku u goditën disa persona dhe institucione të lidhura me komunitetin hebraik dhe Iranin.
Mes rasteve të hetuara gjatë asaj periudhe ishin një zjarrvënie ndaj ambulancave të një komuniteti hebraik, incidente pranë një sinagoge dhe një ish-sinagoge, si dhe sulme ndaj medias në gjuhën persiane “Iran International” dhe një memoriali kushtuar viktimave në Iran.
