Policia greke ka arrestuar 20 persona në ishullin e Kretës, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që mashtronte me subvencionet bujqësore të Bashkimit Europian, në një aferë që po trondit qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Sipas autoriteteve greke, grupi kishte ndërtuar një skemë të mirëorganizuar për të përfituar miliona euro nga fondet e BE-së përmes deklarimeve të rreme të tokave bujqësore. Në qendër të hetimeve janë dy kontabilistë dhe punonjës shtetërorë, të cilët dyshohet se ndihmonin fermerët të paraqisnin aplikime false për përfitimin e subvencioneve.
Policia tha se rrjeti vepronte që prej vitit 2019 dhe të ardhurat e paligjshme dyshohet se kanë kaluar mbi 3 milionë euro. Arrestimet janë pjesë e një hetimi më të gjerë të Prokurorisë Publike Europiane, e cila prej muajsh po heton raste mashtrimi me fondet bujqësore në Greqi. Vitin e kaluar, prokurorët europianë ngritën akuza ndaj dhjetëra fermerëve grekë, të cilët dyshohet se falsifikonin pronësinë e kullotave për të marrë miliona euro subvencione.
Skandali ka krijuar tronditje politike në Athinë. Hetimet kanë sjellë dorëheqje ministrash, përplasje të forta politike dhe kërkesa nga opozita për zgjedhje të parakohshme. Në prill, parlamenti grek votoi heqjen e imunitetit për 13 deputetë të partisë në pushtet “Demokracia e Re”, me kërkesë të Prokurorisë Europiane, në mënyrë që të hetohen për përfshirje të dyshuar në çështje të ngjashme.
Kryeministri Mitsotakis u ka kërkuar prokurorëve europianë të vendosin sa më shpejt nëse do të ketë akuza zyrtare ndaj deputetëve, ndërsa qeveria greke përpiqet të frenojë pasojat politike të skandalit përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.
