Princi Andrew ka njoftuar se do të heqë dorë nga të gjithë titujt e tij mbretërorë, përfshirë titullin “Duka i York-ut” dhe “Urdhri i Garterit”, në një deklaratë zyrtare të bërë publike sot.
Në një deklaratë publike, ai ka bërë me dije ky hap i tij ka ardhur pas konsultimin me Mbretin dhe familjen e tij, për shkak të akuzave të vazhdueshme ndaj tij për përfshirjen në skandalin “Epstein”, që sipas tij, po e largojnë vëmendjen nga puna e Madhërisë së Tij dhe Familjes Mbretërore. Ndër të tjera, Princi Andrew thekson se i mohon sërish me forcë akuzat ndaj tij.
“Në konsultim me Mbretin, si dhe me familjen time të ngushtë dhe të gjerë, kemi arritur në përfundimin se akuzat e vazhdueshme ndaj meje po e largojnë vëmendjen nga puna e Madhërisë së Tij dhe Familjes Mbretërore. Kam vendosur, si gjithmonë, të vë përpara detyrën ndaj familjes dhe vendit tim. Qëndroj pas vendimit tim të pesë viteve më parë për t’u tërhequr nga jeta publike. Me miratimin e Madhërisë së Tij, mendojmë se duhet të shkoj një hap më tej. Prandaj, nuk do të përdor më titujt apo nderimet që më janë dhënë. Siç kam deklaruar më parë, i mohoj me forcë akuzat ndaj meje”, deklaron ai.
Princi Andrew nuk ishte më pjesë e aktiviteteve zyrtare mbretërore që nga viti 2019 dhe kishte humbur të drejtën për të përdorur titullin “Lartësia e Tij Mbretërore” (HRH).
Ai është përballur me presion të madh publik për shkak të lidhjeve të tij me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, përfshirë edhe pikëpyetjet mbi kohën se kur kishte ndërprerë realisht kontaktet me të. Në intervistën e famshme për BBC Newsnight, Andrew kishte deklaruar se i kishte ndërprerë lidhjet me Epsteinin pas një fotografie të bërë publike ku shiheshin bashkë në Nju Jork në dhjetor 2010.
Megjithatë, më pas dolën email-e që tregonin se ai kishte vazhduar kontaktet në mënyrë private.