Një investigim i BBC ka ngritur alarmin për mënyrën se si funksionon algoritmi i Instagram në Indi, pasi zbuloi se platforma shfaqte reklama që promovonin materiale me abuzim seksual të fëmijëve dhe orientonin përdoruesit drejt kanaleve në Telegram.

Sipas raportit të publikuar nga BBC Eye, gazetarët krijuan një llogari të re në Instagram për të testuar sistemin e rekomandimeve të platformës. Edhe pse nuk ishte kërkuar përmbajtje e paligjshme, pas ndjekjes së disa profileve me përmbajtje seksuale për të rritur, algoritmi filloi të sugjeronte reklama të lidhura me materiale të paligjshme dhe abuzive.

Pas publikimit të investigimit, autoritetet indiane urdhëruan Meta që të heqë menjëherë reklamat dhe përmbajtjet që promovojnë ose lehtësojnë qasjen në materiale të tilla, ndërsa i kërkuan kompanisë të japë shpjegime të detajuara brenda shtatë ditëve.

Në reagimin zyrtar, Meta deklaroi se ka “tolerancë zero” ndaj çdo materiali që lidhet me shfrytëzimin seksual të fëmijëve dhe se përdor sisteme të avancuara të inteligjencës artificiale për të identifikuar dhe larguar përmbajtje të paligjshme.

Kompania mohoi pretendimet se kishte synuar përdorues me interesa të tilla apo se kishte vendosur fitimet nga reklamat mbi sigurinë e përdoruesve.

Edhe Telegram reagoi pas publikimit të investigimit, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2026 ka mbyllur mbi 274 mijë grupe dhe kanale të lidhura me materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.