Administrata amerikane e Donald Trump ka vendosur të përjashtojë disa aleatë të mëdhenj nga një takim i anëtarëve të NATO-s muajin e ardhshëm. Vendimi vjen pas kërcënimeve të mëparshme për të vendosur një “listë me të këqij dhe të mirë” kundër qeverive që kanë shkelur prioritetet e presidentit amerikan.

Takimi i planifikuar në Poloni, të cilin e ka drejtuar shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, është në thelb një grup pune i fokusuar në të ardhmen e NATO-s, sipas gjashtë diplomatëve të njohur me planifikimin, citon Politico. Por shumë nga vendet që nuk morën ftesë – të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vendet baltike – shpenzojnë shumë në mbrojtje dhe luajnë role kyçe në aleancë, duke i lënë diplomatët e tyre të pyesin veten pse po bllokohen.

Ata vënë në pikëpyetje nëse administrata po luan rolin e favoritit në një mënyrë që mund ta copëtojë më tej një aleancë që tashmë po përballet me agresionin në rritje rus dhe rezervat e pakësuara të armëve.

«Po bëjmë gjithçka që na kërkohet», tha një zyrtar nga një vend aleat i përjashtuar. «Po përpiqemi të kuptojmë se cilat janë kriteret dhe cili është qëllimi i këtyre takimeve. Ende nuk na është përcjellë shumë informacion».

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment, dhe Pentagoni refuzoi të komentojë.

Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, e ka mbështetur këtë vizion. Ai ka inkurajuar “aleatët model” dhe ka paralajmëruar se ata që nuk mbështesin interesat e SHBA-së do të vuajnë pasojat.

Ndërsa detajet mbi grupin e ri të punës të NATO-s janë ende të paqarta, ai vjen pas kërcënimit për shpërblimin e disave në kurriz të të tjerëve.

Colby ka zhvilluar dy takime të ngjashme me të ftuarit Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Poloninë, Gjermaninë dhe Holandën.

SHBA-të mund ta shtojnë Danimarkën në klubin ekskluziv më pas, duke pasur parasysh marrëveshjen e arritur midis dy vendeve për të zgjeruar gjurmën ushtarake amerikane në Groenlandë, sipas një personi tjetër të njohur me planifikimin.