Zëvendëskryeministrja e Britanisë së Madhe, Angela Rayner, po përballet me akuza për shmangie të detyrimeve tatimore në blerjen e një apartamenti luksoz në Hove. Ajo ka paguar vetëm 30,000 paund në vend të 70,000 paundëve të detyruara si taksë e pullës, duke përfituar nga klasifikimi i dyshimtë i pronës si rezidencë e parë.

Firma ligjore Verrico & Associates, që u mor me procedurat e blerjes, ka deklaruar se taksa është llogaritur bazuar në informacionin e dhënë nga vetë Rayner dhe se ata nuk kanë dhënë kurrë këshilla tatimore. Sipas tyre, janë bërë “kokë turku” në këtë skandal politik.

Rayner zotëron tashmë tre prona: një në zonën e saj elektorale në Manchester, një në Londër dhe apartamentin e ri në bregdet. Për të shmangur taksën e plotë për shtëpinë e dytë, ajo u hoq nga aktet e pronësisë së banesës së saj të mëparshme përpara blerjes së apartamentit të ri. Kjo manovër ka ngritur dyshime të forta për shmangie të qëllimshme taksash.

Skandali ka shkaktuar reagime të forta nga Partia Konservatore, e cila ka akuzuar Rayner për hipokrizi, pasi ajo vetë ka kërkuar më parë shkarkime për raste të ngjashme kur ishte në opozitë.

Kryeministri Keir Starmer është vënë nën presion për ta shkarkuar atë, por ka deklaruar se do të presë përfundimet e një raporti nga këshilltari i pavarur për etikën. Ai ka theksuar se do të veprojë në bazë të gjetjeve të këtij raporti dhe nuk ka pranuar të thotë nëse do ta shkarkojë Rayner nëse ajo shpallet fajtore për shkelje të Kodit Ministror.

Pas ndarjes nga bashkëshorti, Rayner nisi një lidhje me ish-deputetin dhe sindikalistin Sam Tarry. Marrëdhënia e tyre, e luhatshme dhe shpesh në qendër të spekulimeve, lidhej drejtpërdrejt me vendimin e saj për të blerë shtëpi në Brighton, qindra kilometra larg zonës së saj elektorale.

Tarry u konsiderua shpesh si figurë problematike nga ekipi i Keir Starmer, pasi përballjet e tij publike me lidershipin e Laburistëve e vendosnin edhe Rayner në pozitë të vështirë.

Raporti përfundimtar pritet të dalë brenda pak ditësh dhe mund të jetë vendimtar për të ardhmen politike të Angela Rayner. Nëse rezulton se ka shmangur taksat në mënyrë të qëllimshme, pozicioni i saj si zëvendëskryeministre dhe Sekretare për Strehimin është në rrezik të madh.