Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Zelandën e Re, duke ngjallur indinjatë në vend. Mësohet se policia ka mbyllur gabimisht një 11-vjeçare në një spital psikiatrik, pasi e ka ngatërruar me një vajzë të zhdukur.
Mësohet se e mitura u ndalua, u injektua me drogë dhe më pas u dërgua në një repart të shëndetit mendor. Vajza po kalonte një urë në qytetin verior Hamilton, kur një makinë policie që kalonte gabimisht e identifikoi atë si një pacientë 20-vjeçare, e cila ishte larguar nga spitali psikiatrik.
Policia e çoi vajzën në spital, ku ajo u shtrua në një njësi të kujdesit intensiv psikiatrik pavarësisht se një infermiere tha se ajo i ngjante një fëmije.
Pas refuzimit të marrjes së barnave të ofruara nga stafi, vajzës iu injektuan medikamente antipsikotike dhe ajo kaloi më shumë se 12 orë në spital, derisa policia e kuptoi gabimin dhe lajmëroi familjarët e saj për ta marrë.


