Në një strukturë të re kërkimore të Northwell Health në Long Island, pacientëve u lejohet të konsumojnë alkool, kanabis, psilocibinë dhe MDMA, ndërsa shikojnë sport në televizor, hanë ushqime të shpejta dhe qëndrojnë në ambiente të dizajnuara si sallon shtëpie apo bar.
Qendra funksionon si pjesë e një programi kërkimor neuropsikofarmakologjik të drejtuar nga Nehal Vadhan, me qëllim studimin e efekteve reale të substancave në sjelljen njerëzore dhe përdorimin e tyre të mundshëm në trajtimin e çrregullimeve mendore si ankthi social dhe simptomat negative të skizofrenisë.

Sipas programit, pacientët marrin doza të plota që shkaktojnë efekte disaorëshe, jo konsum të shpërndarë. Ambientet janë ndërtuar për të qenë sa më natyrale, me ndriçim të ndryshëm sipas substancës, muzikë relaksuese, ekrane të mëdha dhe pajisje realiteti virtual. Në dhoma ndodhen gjithmonë terapistë që monitorojnë dhe udhëheqin procesin.
Një pjesë e veçantë e qendrës është një bar i improvizuar në bodrumin e spitalit, ku pjesëmarrësit konsumojnë disa pije alkoolike në ditë, ndërsa më pas testohen për kujtesë, përqendrim dhe vendimmarrje. Studiuesit analizojnë dëshirën për alkool, ndikimin në funksionet njohëse dhe sjelljen pas konsumit.
Programi përfshin edhe një simulator drejtimi, ku vëzhgohen reagimet e pacientëve në situata trafiku nën ndikimin e alkoolit apo drogave. Megjithatë, pjesëmarrësit nuk lejohen të drejtojnë automjete jashtë qendrës dhe largohen gjithmonë në mënyrë të sigurt.

Të gjitha seancat monitorohen në mënyrë anonime nga profesionistë shëndetësorë përmes kamerave dhe xhamave njëkahëshe. Sipas drejtuesve të projektit, rastet e reagimeve agresive janë shumë të rralla, ndërsa efektet më të shpeshta janë lodhja, euforia ose të folurit i ngadaltë.
Qendra për Kërkime Psikedelike dhe Trajtim, e lidhur me rrjetin spitalor të Northwell, shihet nga studiuesit si një hap i ri drejt kuptimit më realist të ndikimit të substancave në tru.





