Detaje të reja tronditëse po raportohen në mediat e huaja, në lidhje me skandalin e quajtur “Sarajevo Safari”.
Bëhet fjalë për rrethimin e kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevës, nga forcat serbe dhe skandalin me vrasjen e civilëve nga snajperistët, të cilën në shumë raste rezultonin njerëz të pasur që paguanin për të qëlluar mbi njerëzit vetëm për tu argëtuar.
Sipas raportimeve të reja, pretendohet se turistët që udhëtuan mijëra kilometra për të qëlluar ndaj civilëve të pafajshëm për qejf gjatë rrethimit të Sarajevës, garuan se kush mund të vriste gratë më të bukura. Turistë të pasur nga Rusia, Kanadaja dhe SHBA-ja bënin udhëtime fundjave në qytetin ballkanik dhe paguanin luftëtarë serbë për t’u bashkuar me të ashtuquajturin Safari i Sarajevës, midis viteve 1992 dhe 1995.
Pretendimet nga konflikti i përgjakshëm, i cili la më shumë se 11,500 civilë të vdekur, u trajtuan në një dokumentar të vitit 2022 që sugjeronte se turistët perëndimorë, përfshirë britanikët, gjermanët, spanjollët dhe italianët, si dhe snajperët nga Rusia, SHBA-ja dhe Kanadaja, paguanin shuma më të larta për të qëlluar ndaj fëmijëve. Tani, një libër i quajtur “Paguaj dhe qëllo” nga gazetari kroat Domagoj Margetiç ka botuar një mori dokumentesh që i janë dorëzuar autorit nga një oficer i inteligjencës boshnjake përpara se ai të vritej në vitin 1996.
“Nedzad Ugljen mblodhi prova të safarit, duke përfshirë dosje që tregonin se turistët u paguanin trajnerëve të tyre serbë 80,000 marka, pothuajse 35,000 paund në atë kohë, për të qëlluar drejt qytetarëve të Sarajevës”, raportoi The Times.
Sipas dëshmive, për të qëlluar drejt vajzave të reja do duhej të paguaje një çmim më të lartë prej 95,000 markash, ndërsa “objektivat” më të shtrenjta ishin gratë shtatzëna, me një çmim prej 110,000 markash.
“Ugljen shkroi gjithashtu se të huajt garonin se kush mund të qëllonte gratë më të bukura.”- shprehet gazetari Margetic në librin e tij.
Agjenti Nedzad Ugljen zbuloi se kishte folur me anëtarë të ushtrisë serbe të Bosnjës që pritën snajperët e huaj. Madje ai pretendon se një anëtar i një familjeje mbretërore evropiane ishte midis atyre që morën pjesë.
“Ai mbërrinte me helikopter, qëndronte në Vogosca pranë Sarajevës dhe donte të qëllonte mbi fëmijët”, pretendoi ai.
Libri zbulon gjithashtu se si ideja për ‘safarin’ lindi në Kroaci, jo në Serbi dhe përfshinte një kroat që më parë punonte për inteligjencën jugosllave.
Libri i Margetiç mbështet pretendimet e mëparshme se vrasjet e civilëve gjatë atyre viteve mund të mos jenë kryer vetëm nga ushtarët serbe të Bosnjës, por edhe nga të huaj të pasur, të etur për emocione të forta. Në nëntor 2025, autoritetet italiane nisën një hetim mbi pretendimet, me të mbijetuarit që shpresojnë se e vërteta më në fund mund të zbulohet.
