Komediani britanik dhe një prej autorëve më të njohur të librave për fëmijë, David Walliams, është përfshirë në një skandal seksual, pasi disa gra e kanë akuzuar për ngacmim seksual dhe sjellje të papërshtatshme, përfshirë edhe ndaj vajzave të mitura.
Akuzat janë bërë publike pas një hetimi të përbashkët të gazetës “The Guardian” dhe rrjetit televiziv ITV News, të cilët kanë mbledhur dëshmi nga 30 persona për sjelljen e autorit, me ngjarje që datojnë që nga viti 2003.
Sipas dëshmive të publikuara, disa gra pretendojnë se Walliams ka shfrytëzuar famën e tij për të krijuar marrëdhënie seksuale me vajza të reja. Dy prej tyre deklarojnë se ai i kishte kontaktuar kur ishin vetëm 15 vjeçe.
Një prej grave, e identifikuar me emrin Alex, rrëfen se e kishte takuar autorin gjatë një aktiviteti për promovimin dhe firmosjen e librave. Sipas saj, pas dy vitesh telefonatash dhe komunikimesh me email, ajo pati marrëdhënie seksuale me të kur ishte 17 vjeçe.
David Walliams, 55 vjeç, i ka mohuar akuzat për shkelje të ligjit, megjithëse ka pranuar se ka shfaqur sjellje të pamatura ndaj disa personave me të cilët ka pasur marrëdhënie seksuale rastësore.
“Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk kam shkelur asnjë ligj”, është shprehur ai në deklaratën e cituar nga The Guardian.
Publikimi i akuzave ka sjellë pasoja edhe në karrierën e tij. Përfaqësuesi i tij letrar ka njoftuar përfundimin e bashkëpunimit profesional, ndërsa BBC ka bërë të ditur se do të tërheqë disa programe të lidhura me autorin nga platformat e saj, përfshirë serialin “Little Britain”, me të cilin ai u bë i njohur për publikun e gjerë.
Edhe shtëpia botuese britanike HarperCollins kishte njoftuar që në dhjetor të vitit 2025 se nuk do të botonte më libra të tij, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme brenda kompanisë.
Walliams është një prej autorëve më të suksesshëm britanikë të librave për fëmijë dhe të rinj. Ai ka shitur më shumë se 60 milionë kopje në mbarë botën, ndërsa disa prej veprave të tij, si “Djali me fustan” dhe “Mr Stink”, janë përshtatur edhe për televizion.
Autori është përpjekur të pengojë publikimin e emrit të tij në kuadër të hetimit përmes një kërkese në gjykatë, por Gjykata e Lartë e ka rrëzuar atë. Sipas avokates së tij, Walliams ka kaluar gjithashtu një periudhë të vështirë shëndetësore, duke tentuar dy herë vetëvrasjen dhe duke u shtruar në një spital psikiatrik.
Reputacioni i tij ishte dëmtuar edhe më parë, në vitin 2022, kur një hetim i “The Guardian” publikoi komente me përmbajtje seksuale që ai kishte bërë për konkurrentët gjatë kohës që ishte anëtar jurie në spektaklin “Britain’s Got Talent”.



Top Channel
