Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se ka marrë nën kontroll qytetin strategjik të Kostyantynivkës në rajonin e Donetskut, duke deklaruar se luftimet në zonë vijojnë me intensitet.

Në fjalimin e tij të përditshëm, Zelensky tha se qyteti mbetet fushëbetejë, pavarësisht njoftimeve të Kremlinit për pushtimin e tij.

“Luftimet po vazhdojnë për Kostyantynivkën, të cilën Putini e pretendon si të tijën, por është e qartë se ai kurrë nuk do të guxojë të shfaqet atje,” u shpreh presidenti ukrainas.

Moska kishte deklaruar më herët se kishte marrë kontrollin e qytetit, një nyje strategjike në rrugën drejt pikave kyçe të rajonit të Donetskut. Kievi, megjithatë, e ka cilësuar këtë pretendim si “gënjeshtër”, duke theksuar se forcat ukrainase vazhdojnë të mbrojnë qytetin, i cili para nisjes së pushtimit rus në vitin 2022 kishte rreth 78 mijë banorë.

Zelensky paralajmëroi gjithashtu se shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë sinjalizuar përgatitjen e një vale të re sulmesh masive nga Rusia, në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet më 7-8 korrik në Turqi, ku ai pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin amerikan Donald Trump.

“Shërbimet e inteligjencës kanë informacione të reja se rusët po përgatisin një sulm të ri masiv,” deklaroi ai.

Presidenti ukrainas kujtoi se vetëm pak ditë më parë kishte paralajmëruar për një sulm të mundshëm ndaj Kievit, ndërsa disa orë më vonë kryeqyteti u godit nga bombardimet ruse, ku humbën jetën 30 persona.

Në të njëjtën kohë, Zelensky theksoi se edhe sulmet e ushtrisë ukrainase në territorin rus po vazhdojnë të japin rezultate, duke goditur objektiva deri në rajonin e Maleve Urale.