Pas javësh spekulimesh dhe diskutimesh publike, bashkëshorti i Kristin Cabot drejtoreshës së burimeve njerëzore në kompaninë teknologjike Astronomer ka reaguar për herë të parë lidhur me skandalin që përfshiu emrin e saj dhe atë të CEO-së së kompanisë, Andy Byron.

Një video virale e regjistruar më 16 korrik gjatë koncertit të Coldplay në Boston tregonte Cabot dhe Byron në një moment intim, ku ai e përqafonte atë nga pas, ndërsa të dy reagonin të habitur kur u panë papritur në ekranin gjigand të eventit. Pamjet ndezën spekulime për një marrëdhënie të fshehtë mes tyre dhe rezultuan në dorëheqjen e të dyve nga pozicionet drejtuese në Astronomer.

Të premten e kaluar u bë e ditur se Kristin Cabot kishte paraqitur kërkesë për divorc nga bashkëshorti i saj, Andrew Cabot, më 13 gusht. Por në një zhvillim të ri, një përfaqësues i Andrew Cabot ka sqaruar për People se çifti ishte ndarë në mënyrë private dhe pa zhurmë disa javë përpara incidentit në koncert.

“Vendimi për t’u divorcuar ishte marrë para asaj mbrëmjeje. Tani që kërkesa për divorc është bërë publike, Andrew shpreson se kjo do t’i japë fund spekulimeve dhe do të lejojë që familja e tij të ruajë privatësinë që gjithmonë ka vlerësuar”, tha përfaqësuesi.

As Kristin Cabot dhe as Andy Byron nuk kanë reaguar publikisht mbi natyrën e marrëdhënies së tyre, ndërsa kompania Astronomer ka publikuar një deklaratë ku theksohet se drejtuesit e saj duhet të jenë shembull për sjellje dhe përgjegjësi. Bordi i Drejtorëve ka pranuar dorëheqjen e Byron, ndërsa Pete DeJoy, bashkëthemelues dhe drejtor i produkteve, po e ushtron detyrën e CEO-së së përkohshëm.

Pamjet që tronditën rrjetin dhe sollën dorëheqjet e bujshme vijojnë të jenë temë diskutimi në sektorin teknologjik dhe përtej, ndërsa publiku pret nëse do të ketë ndonjë koment zyrtar nga vetë protagonistët.