Një tornado e fuqishme ka përfshirë shtetin Coahuila në Meksikë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonat rurale dhe duke lënë pas shkatërrime të shumta në ferma, stalla dhe ndërtesa.

Fenomeni atmosferik u regjistrua të martën, kur erërat e forta rrëzuan çati, dëmtuan infrastrukturën bujqësore dhe shkaktuan humbje të konsiderueshme materiale. Banorët e zonës përjetuan momente paniku teksa tornado lëvizte me shpejtësi, duke shkatërruar gjithçka që gjente përpara.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë forcën e jashtëzakonshme të stuhisë dhe dëmet e shkaktuara, duke tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve në internet.

Megjithëse deri më tani nuk janë raportuar viktima apo persona të lënduar, autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, për shkak të mundësisë së fenomeneve të tjera ekstreme të motit në rajon.