Një grup hajdutësh kanë shpërthyer kasafortën e një banke Sparkasse në qytetin perëndimor gjerman Gelsenkirchen, duke vjedhur para, ar dhe bizhuteri me vlerë rreth 30 milionë euro. Ngjarja preku mbi 3,000 kuti sigurie, ku klientët ruanin pasuritë e tyre dhe rreth 2,500 klientë u prekën nga kjo grabitje, duke e bërë një nga më të mëdhatë në historinë e fundit të Gjermanisë.

Depërtimi u zbulua pasi u aktivizua alarmi i zjarrit në bankë. Hajdutët shfrytëzuan qetësinë e periudhës së pushimeve dhe hynë në ndërtesë përmes një garazhi fqinji, duke përdorur një spiral të madh për të hapur kasafortën. Dyshohet se të njëjtën rrugë e përdorën edhe për t’u larguar dhe ende nuk janë kapur.

Rreth 200 klientë të shqetësuar u mblodhën jashtë degës së bankës për të marrë informacion. Disa tentuan të futeshin brenda, gjë që detyroi policinë të mbyllë degën përkohësisht. Banka ka njoftuar se çdo kuti sigurie është e siguruar deri në 10,300 euro dhe klientët e prekur do të informohen me letër.