Një pasagjer i Turkish Airlines është vënë nën hetim penal nga autoritetet gjermane, pasi dyshohet se refuzoi të ulej pranë një gruaje gjatë një fluturimi nga Turqia drejt Düsseldorf-it dhe më pas goditi një anëtare të ekuipazhit.

Sipas mediave gjermane, mes tyre edhe “Bild”, personi i dyshuar është një 29-vjeçar me shtetësi gjermane dhe origjinë turke. Ai nuk pranoi të zinte vendin e caktuar në avion, pasi sedilja ndodhej pranë një pasagjereje femër, duke pretenduar se kjo ishte në kundërshtim me rregullat e Sheriatit.

Gjatë përpjekjes së stafit të avionit për ta bindur që të respektonte vendosjen e përcaktuar, 29-vjeçari dyshohet se ka goditur me shuplakë një asistente fluturimi.

Pas uljes së avionit në Aeroportin e Düsseldorf-it, më 1 qershor, ndërhyri Policia Federale Gjermane, e cila mori në dorë hetimet. Sipas raportimeve, i dyshuari ka pranuar veprimin gjatë marrjes në pyetje.

Deri më tani, kompania ajrore Turkish Airlines nuk ka reaguar publikisht për rastin.

Ngjarja vjen në një kohë kur autoritetet ndërkombëtare kanë raportuar rritje të incidenteve me pasagjerë problematikë gjatë fluturimeve, përfshirë raste dhune ndaj pjesëtarëve të ekuipazhit dhe personelit të sigurisë.