Sobat me dru, të cilat prej vitesh promovohen si një zgjidhje e ngrohtë dhe “miqësore me mjedisin”, mund të jenë shumë më të rrezikshme për shëndetin sesa mendohej më parë. Një studim i ri i prezantuar në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Frymëmarrjes, të mbajtur në Amsterdam, ka zbuluar se ekspozimi ndaj tymit të prodhuar nga sobat me dru ndikon negativisht në funksionin e mushkërive në mënyrë të ngjashme me dëmet që shkakton pirja e duhanit.
Studiuesit nga University College London analizuan të dhënat e mijëra personave nga Studimi Gjatësor Anglez i Plakjes, duke ndjekur gjendjen e tyre shëndetësore për më shumë se tetë vite. Ata përdorën testin FEV1, një matës i rëndësishëm i kapacitetit të frymëmarrjes, për të vlerësuar ndikimin e sobave me dru në mushkëri.
Gjetjet ishin shqetësuese: përdoruesit e sobave me dru përballen me një rënie më të shpejtë të funksionit të mushkërive krahasuar me personat që nuk i përdorin ato edhe pse shumë prej tyre nuk pinin duhan dhe jetonin në kushte më të mira ekonomike e shëndetësore.
Edhe pse studimi është zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, ndikimi i sobave me dru nuk njeh kufij. Në Shqipëri, ku përdorimi i drurit për ngrohje është ende i përhapur në shumë zona, sidomos në dimër, shqetësimet për ndikimin në shëndet mbeten të njëjta. Shtëpitë pa ventilim të mjaftueshëm, mungesa e standardeve për sobat që importohen apo prodhohen dhe vetëdija e ulët rrisin ndjeshëm rrezikun për komplikacione afatgjata në mushkëri.
Dr. Laura Horsfall, drejtuesja e studimit, u shpreh: Studimi ynë tregon se grimcat e imëta të prodhuara nga djegia e drurit shkaktojnë inflamacion dhe dëmtojnë indet e mushkërive në mënyrë të ngjashme me tymin e cigareve. Djegia e drurit në ambiente të brendshme është një burim i ndotjes së ajrit që shpesh nënvlerësohet.
Sipas saj, edhe modelet moderne të sobave të quajtura “eko-dizajn” nuk janë tërësisht të sigurta dhe mund të përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për shëndetin e familjeve veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit.