Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po hyn në një nga fushatat më të vështira të viteve të fundit. Më pak se dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, sondazhet e fundit tregojnë se opozita ka kaluar për herë të parë në avantazh, duke i dhënë një goditje të fortë kampit të tij politik.

Sipas sondazhit më të fundit, partia Yashar, e drejtuar nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, do të fitonte 24 mandate nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Likud i Netanyahut renditet i dyti me 21 mandate. Edhe pse diferenca mes dy partive është vetëm tre mandate, shifrat marrin peshë për shkak të mënyrës se si formohen qeveritë në Izrael. Knesset, parlamenti izraelit, ka 120 deputetë dhe për të krijuar një shumicë qeverisëse nevojiten të paktën 61 mandate.

Sondazhi tregon se blloku i udhëhequr nga Netanyahu do të siguronte aktualisht vetëm 52 mandate, duke mbetur larg shumicës. Nga ana tjetër, blloku opozitar, pa llogaritur partitë arabe, do të arrinte në 55 mandate. Në të njëjtin sondazh parashikohet që partitë arabe të fitojnë edhe 13 mandate të tjera. Pikërisht për këtë arsye, ato mund të luajnë një rol vendimtar në krijimin e qeverisë së ardhshme, edhe pse mbetet e paqartë nëse do të ketë bashkëpunim mes tyre dhe opozitës.

Një tjetër element që bie në sy është se Gadi Eisenkot nuk kryeson vetëm në garën mes partive. Ai rezulton gjithashtu kandidati më i preferuar për postin e kryeministrit. Sipas të dhënave të sondazhit, 40% e qytetarëve të pyetur thanë se Eisenkot do të ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar qeverinë izraelite, ndërsa Benjamin Netanyahu mori mbështetjen e 37% të të anketuarve. Netanyahu ka dominuar politikën izraelite për shumë vite dhe rrallëherë është parë në disavantazh në sondazhet për drejtimin e qeverisë.

Zgjedhjet e 27 tetorit kanë rëndësi të veçantë për të, teksa vazhdon të përballet edhe me procese gjyqësore për akuza që lidhen me korrupsionin, përfshirë ryshfetin, mashtrimin dhe shpërdorimin e besimit. Për këtë arsye, analistët në Telaviv vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve mund të ketë ndikim jo vetëm në drejtimin politik të Izraelit, por edhe në të ardhmen personale të Netanyahut, i cili kërkon një mandat të ri për të ruajtur kontrollin mbi qeverinë. Nga ana tjetër, opozita po përpiqet të shfrytëzojë momentumin e krijuar nga sondazhet për të ndërtuar një shumicë të re parlamentare. Megjithatë, mbetet ende e hapur çështja e bashkëpunimit me partitë arabe, të cilat mund të jenë vendimtare për arritjen e pragut prej 61 mandatesh.