Sot është dita e fundit e afatit të vendosur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës nga ana e Rusisë, përndryshe Moska do të përballet me sanksione të reja ekonomike.
Gjatë një deklarate për shtyp dje, Trump tha se “gjithçka do të varet nga presidenti rus, Vladimir Putin. Do të shohim se çfarë ka për të thënë. E ritheksoj, do të varet nga ai”.
Sipas paralajmërimeve nga Shtëpia e Bardhë, nëse Rusia nuk përmbush kërkesat e SHBA-ve brenda afatit të përcaktuar, klientët ndërkombëtarë të naftës ruse – përfshirë vendet si India dhe Kina – do të përballen me tarifa dytësore, masa që synojnë të frenojnë të ardhurat e Moskës nga eksporti i naftës.
Tre burime të ndryshme brenda administratës amerikane, përfshirë dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe një zyrtar të lartë të qeverisë, konfirmuan për Sky News se pavarësisht mundësisë për një takim mes Trump dhe Putinit, sanksionet dytësore pritet të hyjnë në fuqi të premten.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia është e përgatitur të përballet me çdo valë të re presionesh ekonomike nga SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë.
Megjithatë, njohës të zhvillimeve në Rusi janë skeptikë për efektivitetin e këtyre masave. Eugene Rumer, ish-analist i inteligjencës amerikane për Rusinë dhe aktualisht drejtor i Programit për Rusinë dhe Euroazinë në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, tha se “shanset që Putini të pranojë një armëpushim si përgjigje ndaj kërcënimeve të Trump janë pothuajse zero”.
“Teorikisht, nëse blerjet e naftës nga India dhe Kina ndalohen, kjo do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë ruse dhe për përpjekjet e saj ushtarake. Por kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai, duke theksuar se Kina tashmë ka sinjalizuar vazhdimësinë e marrëdhënieve tregtare me Rusinë.
Tani pritet me interes të madh nëse Putin do të reagojë para përfundimit të afatit – apo nëse Uashingtoni do të nisë me vendosmëri raundin e ri të sanksioneve ekonomike.
