Bordi i Paqes i krijuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fillimisht me qëllim rindërtimin e Rripit të Gazës dhe më vonë një mision i zgjeruar ndërkombëtar për menaxhimin e krizave, po mban sot takimin e tij të parë në Uashington.
Rendi i ditës përfshin çështje kritike si çarmatimi i Hamasit, madhësia e fondit për rindërtimin e enklavës palestineze dhe sigurimi i rrjedhës së papenguar të ndihmës humanitare në Gaza, çështje që pritet të testojnë efektivitetin e organit të ri në të ardhmen e afërt.
Në takimin e sotëm marrin pjesë 47 vende, vetëm disa prej të cilave kanë status të anëtarësisë së plotë, si dhe Bashkimi Evropian me rol vëzhgues, me rindërtimin e Gazës që është misioni i parë zyrtar i Këshillit, i cili është nën kontrollin e plotë të presidentit të SHBA-së.
Takimi do të mbahet në “Institutin Amerikan të Paqes Donald J. Trump”, i cili u riemërua së fundmi për nder të presidentit të SHBA-së, dhe do të fillojë në orën 09:00.
Fjalime do të mbajnë, Trump, Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, do të bëhen premtime për të mbledhur 5 miliardë dollarë për Rripin e Gazës, si dhe për të dërguar “mijëra” trupa për t’u bashkuar me një forcë stabilizimi.
Çarmatosja e Hamasit me qëllim nisjen e forcës stabilizuese mbetet një çështje e vështirë dhe forca nuk pritet të vendoset për javë ose muaj.
“Nuk kemi iluzione për sfidat me të cilat përballemi në aspektin e demilitarizimit, por jemi inkurajuar nga ajo që kanë përcjellë ndërmjetësit”, tha një zyrtar i lartë amerikan.
Një anëtar i Këshillit të Paqes, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se plani i Gazës përballet me pengesa të mëdha.
Ai shtoi se një nga çështjet kryesore të pazgjidhura është se kush do të negociojë me Hamasin, ndërsa një çështje tjetër e vështirë është futja e ndihmës humanitare, të cilën zyrtari e përshkroi si “katastrofike” dhe theksoi se ajo duhet të rritet urgjentisht. Megjithatë, edhe nëse futja e ndihmës rritet, nuk është e qartë se kush do ta shpërndajë atë, vuri në dukje ai.
Përveç Gazës, misioni i Këshillit të Paqes është “të garantojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
Në letër, kjo mund të nënkuptojë se ai rivalizon OKB-në, të cilën Trump e ka quajtur joefektive.
Anëtarët e përhershëm të Këshillit duhet të paguajnë 1 miliard dollarë për t’u anëtarësuar, gjë që ka nxitur kritika se ai mund të bëhet një version me pagesë i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva e ka quajtur Këshillin “një OKB të re, ku Trump do të jetë zoti i vetëm”.
Donald Trump është në fakt presidenti i plotfuqishëm i Këshillit: vetëm ai ka autoritetin për të “ftuar” krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive të bashkohen me të dhe mund ta revokojë lehtësisht anëtarësimin e tyre.
Kush merr pjesë në Këshillin e Paqes?
Udhëheqësit e akuzuar për tendenca autoritare ose për të miratuar ideologjinë e Trump, si dhe vendet e shqetësuara për të ardhmen e Gazës ose që kërkojnë të fitojnë favorin e presidentit amerikan, kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre.
Ministri i Jashtëm Gideon Saar do të përfaqësojë Izraelin.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe Presidenti argjentinas Javier Milley do të marrin pjesë në takim.
Disa vende arabe janë bashkuar në Këshill: Egjipti do të përfaqësohet nga Kryeministri Mostafa Madbouly dhe Jordania nga Ministri i Jashtëm Ayman Safadi.
Presidenti indonezian Prawirota Subianto ka thënë se është gati të vendosë 8,000 trupa për t’u bashkuar me forcën e stabilizimit, ashtu si edhe disa udhëheqës të tjerë të Azisë Qendrore që janë bashkuar me Këshillin.
Për më tepër, Këshilli ka njoftuar se Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bullgaria, Kamboxhia, El Salvadori, Kazakistani, Kosova, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Uzbekistani dhe Vietnami do jenë prezent.
Kush mban distancë?
Partnerët kryesorë tradicionalë perëndimorë dhe rivalët kryesorë të SHBA-së kanë shmangur kryesisht të bëhen anëtarë themelues të Këshillit të Paqes. Fuqitë kryesore të Jugut Global, si Brazili, India, Meksika dhe Afrika e Jugut, nuk e kanë pranuar ftesën e Trump.
Evropa është e ndarë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë konkretisht për takimin e sotëm.
Disa vende do të marrin pjesë si “vëzhgues”, si Italia dhe Gjermania. BE-ja ka zgjedhur të njëjtën qasje dhe do të përfaqësohet nga Komisionerja Dubravka Suica. Megjithatë, Franca, Spanja, Belgjika dhe Irlanda, ndër të tjera, e kanë kritikuar vendimin e Brukselit.
Trump e tërhoqi ftesën që i kishte bërë Kanadasë, ndërsa Vatikani refuzoi të merrte pjesë.
Kina, e cila është ftuar, nuk ka shprehur asnjë qëllim për të marrë pjesë dhe ka deklaruar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj sistemit ndërkombëtar të përqendruar në OKB.
Japonia po rezervon një vendim për pjesëmarrjen e saj formale në Këshillin e Paqes. Sipas njoftimeve të shtypit, pritet të dërgojë të dërguarin e saj në Gaza në takimin e sotëm.
