Një zjarr i fuqishëm pyjor që shpërtheu rreth 100 kilometra në veri të Madridit po përhapet me shpejtësi, duke djegur më shumë se 120 mijë hektarë tokë dhe duke detyruar qindra banorë të largohen nga banesat e tyre.
Flakët kanë përfshirë rajonin e Guadalajarës, veçanërisht zonën e parkut natyror Sierra Norte. Deri tani nuk janë raportuar viktima, por autoritetet e kanë cilësuar situatën si tepër të vështirë për t’u kontrolluar për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit.
Presidenti i Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, ka deklaruar se vatra mbetet aktive dhe paraqet sfidë të madhe për ekipet e emergjencës. Në terren po operojnë rreth 350 zjarrfikës dhe ushtarë të Njësisë Ushtarake të Emergjencave, të mbështetur nga 25 mjete ajrore për shuarjen e flakëve.
Zona e prekur është një territor pyjor dhe malor me vlera të mëdha ekologjike, ku jetojnë specie të mbrojtura si shqiponja, ujqër dhe lloje të rralla fluturash. Zjarri ka ngritur shqetësime të mëdha për dëmet ndaj biodiversitetit.
Ndërkohë, Spanja po përballet edhe me një tjetër vatër të madhe zjarri pranë Zaragozës, në verilindje të vendit. Sipas autoriteteve lokale, ky zjarr ka djegur rreth 160 mijë hektarë dhe ende nuk është vënë nën kontroll të plotë.
Situata vjen në një sezon veçanërisht të rëndë zjarresh për Spanjën. Një zjarr në Andaluzinë jugore më 9 korrik shkaktoi 13 viktima dhe shkatërroi rreth 70 mijë hektarë tokë.
Ekspertët e lidhin përkeqësimin e situatës me valët ekstreme të të nxehtit dhe temperaturat që kalojnë shpesh 40 gradë Celsius, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e shpejtë të zjarreve.
Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), Spanja po përballet me një nga sezonet më të rënda të viteve të fundit, me sipërfaqe të mëdha të shkatërruara nga flakët.
