Vera duket se nuk ka ndërmend t’i lërë vendin vjeshtës në Spanjë. Vendi është përfshirë nga një valë e fortë të nxehti, me temperaturat që kanë arritur në nivele rekord për muajin shtator.

Në qytetin El Granado, në jugperëndim të vendit, termometri ka shënuar 45.7 gradë Celsius, temperaturë e konfirmuar nga Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës (AEMET).

Kjo shifër barazon rekordin kombëtar të shtatorit, të regjistruar në vitin 2016 në Montoro, gjithashtu në rajonin e Andaluzisë. Madje, 45.7°C përbën edhe temperaturën më të lartë të regjistruar në Spanjë gjatë këtij viti.

Vala e të nxehtit ka prekur një pjesë të madhe të jugut dhe perëndimit të vendit, ku temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius.

Situata e pazakontë atmosferike nuk është e kufizuar vetëm në Spanjë. Edhe Italia po përballet me valën e gjashtë të të nxehtit, me temperatura që arrijnë në 34-35°C në disa zona të veriut dhe qendrës, ndërsa moti i nxehtë vijon të prekë edhe jugun e Francës.

Ekspertët e lidhin këtë periudhë të zgjatur të temperaturave të larta me ndikimin e anticiklonit afrikan, i cili po sjell masa ajri shumë të nxehta në Europën Jugore.

Në Itali pritet një ndryshim i motit nga e enjtja, me ardhjen e masave më të freskëta nga Atlantiku i Veriut. Megjithatë, ato mund të shoqërohen me stuhi të forta dhe breshër.

Sipas parashikimeve europiane, temperaturat mbi mesataren sezonale mund të vijojnë edhe në javët e para të tetorit, duke e zgjatur më tej periudhën e pazakontë të të nxehtit në Europën Jugore.