Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka tentuar të qetësojë gjakrat dhe të minimizojë rëndësinë e një emaili të rrjedhur nga Pentagoni, i cili tregon se Madridi zyrtar mund të përballet me sanksione të ashpra, deri në pezullim nga NATO.
Gjatë mbërritjes së tij në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian në Qipro, Sánchez u shfaq i shkujdesur duke u shprehur se qeveria e tij po i përmbush të gjitha detyrimet ndaj aleancës dhe se nuk ka vend për shqetësim.
Ai nënvizoi se Spanja mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me aleatët, por gjithmonë duke u siguruar që veprimet e saj të jenë brenda kornizës së të drejtës ndërkombëtare, duke refuzuar njëkohësisht të komentojë dokumente jozyrtare.
Sipas raportimeve të Reuters, dokumenti i brendshëm i Pentagonit zbulon zemërimin e administratës së Donald Trump ndaj vendeve që Uashingtoni i konsideron “të vështira”. Spanja është veçuar në këtë listë për shkak të qëndrimit të saj të prerë kundër konfliktit në Iran dhe shpenzimeve të ulëta për mbrojtjen.
Shkakun kryesor të këtij tensioni thuhet se e përbën vendimi i Sánchez për të bllokuar përdorimin e bazave ushtarake të përbashkëta dhe hapësirës ajrore spanjolle nga avionët luftarakë amerikanë për sulme ndaj Iranit, një lëvizje që e ka nxitur presidentin Trump të konsiderojë masa drastike, përfshirë ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe presionin brenda aleancës ushtarake.
Përveç Spanjës, vala e presioneve amerikane ka prekur edhe Britaninë e Madhe. Emaili sugjeron se SHBA mund të ndryshojë qëndrimin e saj historik mbi sovranitetin e Ishujve Falkland si ndëshkim për refuzimin e kryeministrit Keir Starmer për t’iu bashkuar luftës.
Ky përshkallëzim vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardha duket se ka krijuar një listë të vendeve “të mira dhe të këqija” brenda NATO-s, ku aleatët “model” favorizohen, ndërsa ata që hezitojnë të ndjekin linjën ushtarake të Uashingtonit përballen me pasoja të rënda diplomatike dhe ekonomike. Megjithatë, ekspertët ligjorë theksojnë se pezullimi i një anëtari nga NATO është praktikisht i pamundur sipas traktatit aktual, duke i cilësuar këto kërcënime më shumë si një formë presioni dhe “provokimi ideologjik”.
